Logo
Kryefaqja/Islam/ ZEMRA ZBUTET ME DHIKËR TË SHUMTË
 ZEMRA ZBUTET ME DHIKËR TË SHUMTË

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

ZEMRA ZBUTET ME DHIKËR TË SHUMTË

Mihralb

23 korrik 2026

3 min lexim

Njeriu është krijuar nga dheu; trupi i tij i përket tokës. Për nga nevojat si ngrënia, pirja, gjumi dhe epshi, ai ka natyrë shtazore. Por për nga shpirti, ai është i ndritshëm (nurani) dhe i përket Allahut. Nëse tek njeriu mbizotërojnë dëshirat e trupit, ai largohet nga Allahu. Shpirti dobësohet dhe zemra errësohet. Mirëpo, nëse mbizotërojnë prirjet e shpirtit, ai afrohet me Allahun; zemra e tij ndriçohet dhe bashkë me të ndriçohet edhe trupi.

Prandaj, zemra duhet pastruar dhe ndriçuar. Derisa zemra të mos pastrohet, ajo nuk mund të ndriçohet, dhe në këtë gjendje njeriu nuk mund të shpëtojë kurrë nga sëmundjet e zemrës.

Nëse rrënja e një peme është e kalbur, shenjat e kësaj kalbëzimi duken në degët, gjethet dhe frutat e saj. Po kështu, kur në zemër ka sëmundje ose kalbëzim, pasojat dhe dëmet e saj shfaqen në çdo gjymtyrë të trupit dhe në çdo vepër të njeriut. Prandaj, zemra duhet patjetër të kurohet.

Shërimi i zemrës bëhet me përkujtimin e Allahut (dhikrin), sepse shpirti i përket Atij. Sëmundja e zemrës pastrohet me dhikrullahun. Allahu i Madhëruar thotë në suren Er-Ra'd:

"Thuaj: Allahu e lë në humbje kë të dojë, ndërsa e udhëzon tek Vetja atë që kthehet sinqerisht tek Ai. Ata që besuan dhe zemrat e të cilëve qetësohen me përmendjen e Allahut; ta dini se vetëm me përmendjen e Allahut zemrat gjejnë prehje."

(Er-Ra'd, 27–28)

Ashtu si jo çdo sëmundje shërohet me pak ilaç, edhe sëmundja e zemrës nuk shërohet me pak dhikër.

Në Kuranin Fisnik është urdhëruar që Allahu të përmendet shumë. Nuk është përcaktuar një numër i caktuar, por është përmendur vazhdimisht: shumë herë, natë e ditë, mëngjes e mbrëmje.

Sipas rregullit të jurisprudencës islame, kur një urdhër nuk kufizohet me numër, ai nënkupton plotësimin e tij në mënyrën më të plotë. Prandaj, dhikri duhet të jetë aq i shumtë sa të mund të sjellë shërimin e zemrës; më pak se kaq nuk mjafton. Dhikri i pakët nuk e zbut zemrën. Për këtë arsye, në ajetet kuranore urdhërohet dhikri i shumtë.

Allahu i Madhëruar thotë:

"O besimtarë! Përmendeni Allahun shumë dhe madhërojeni Atë vazhdimisht, mëngjes e mbrëmje."

(El-Ahzab, 41–42)

Po ashtu thotë:

"Përmendeni Allahun shumë, që të arrini shpëtimin."

(El-Xhumu'ah, 10)

Dhe gjithashtu:

"Përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje Atë në mëngjes e në mbrëmje."

(Alu Imran, 41)

Ky urdhër është përsëritur në shumë ajete të tjera, sepse zbutja e zemrës dhe zgjerimi i kraharorit (qetësia shpirtërore) arrihen vetëm me dhikër të shumtë.

Disiplina është jashtëzakonisht e rëndësishme. Zjarri i dhikrit duhet të jetë gjithmonë i fortë.

Sepse, a mund të piqet mirë një gjellë në zjarr të vakët? Brenda saj ka mish dhe perime. Perimet gatuhen shpejt, por mishi mbetet i pagatuar. Nëse gjella nuk piqet siç duhet, nuk hahet.

Po kështu, për shërimin e zemrës nga të gjitha këto sëmundje dhe që nefsi të përparojë në shkallët e tij shpirtërore, duhet bërë dhikër i shumtë dhe i vazhdueshëm.

Dhikri duhet të kryhet në kohën e caktuar dhe me edeb; nuk duhet neglizhuar kurrë. Sepse në këtë rrugë neglizhenca nuk falet dhe nuk sjell asnjë dobi.