Logo
Kryefaqja/Islam/SI T’UA MËSOJMË FËMIJËVE PËRMENDËSH KUR’ANIN?
SI T’UA MËSOJMË FËMIJËVE PËRMENDËSH KUR’ANIN?

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

SI T’UA MËSOJMË FËMIJËVE PËRMENDËSH KUR’ANIN?

Bujar Idrizi

10 korrik 2026

3 min lexim

Një nga pyetjet që më bëhet më shpesh në takimet me prindërit është:

Si t’ua mësojmë fëmijëve përmendësh Kur’anin?

Kam reflektuar gjatë mbi këtë pyetje, kam lexuar atë që është shkruar për të dhe kam vëzhguar përvojat e shumë familjeve dhe qendrave të mësimit të Kur’anit. Kam arritur në përfundimin se problemi nuk qëndron te fakti se fëmijët nuk janë në gjendje ta mësojnë Kur’anin përmendësh, por te fakti se ne, shpesh, e nisim nga vendi i gabuar.

Ne e fillojmë me memorizimin, ndërsa Kur’ani e filloi me ndërtimin e zemrës.

Brezi i parë nuk e merrte Kur’anin si një lëndë mësimore, por si Fjalën e Allahut që udhëzon, pastron shpirtin dhe formon njeriun.

Prandaj, besoj se mësimi i Kur’anit përmendësh duhet të mbështetet mbi disa parime themelore:

Së pari: Dashuria duhet t’i paraprijë memorizimit.

Fëmija që e do Kur’anin do të ketë durim ta mësojë atë. Ndërsa ai që detyrohet, do të kërkojë rastin e parë për ta braktisur.

Dashuria nuk lind nga urdhërat dhe detyrimet, por kur fëmija e sheh Kur’anin të pranishëm në jetën e prindërve dhe ndien se në shtëpinë e tij Fjala e Allahut nderohet e respektohet.

Së dyti: Fillimi duhet të jetë me tregimet kuranore.

Fëmija është i prirur natyrshëm ta dojë rrëfimin. Prandaj Kur’ani është i mbushur me historitë e pejgamberëve, sepse ato i drejtohen njëkohësisht mendjes dhe zemrës.

Kur fëmija mëson suren Jusuf, Kehf apo Nuh, duke kuptuar edhe ngjarjet që ato përmbajnë, lidhet emocionalisht me Kur’anin dhe memorizimi shndërrohet në një udhëtim të këndshëm, e jo në një barrë.

Kam vënë re se shumë fëmijë i mësojnë ajetet më shpejt kur e kuptojnë historinë që ato përcjellin.

Së treti: Të mësohet pak, por vazhdimisht.

Kur’ani nuk kërkon entuziazëm për një javë, por shoqëri për shumë vite.

Një faqe e mësuar mirë është më e vlefshme se pesë faqe të mësuara shpejt e të harruara pas pak ditësh.

Së katërti: Përsëritja duhet të jetë më e madhe se mësimi i ri.

Shumë prindër interesohen për atë që fëmija mësoi sot, por më pak për atë që do të mbetet me të pas një viti.

Kur’ani, nëse nuk përsëritet vazhdimisht, harrohet.

Së pesti: Ajetet duhet të lidhen me jetën e përditshme.

Nëse fëmija mëson ajetin:

“Dhe silluni mirë me prindërit…”

ai duhet ta shohë këtë mirësi të zbatuar në shtëpinë e tij.

Nëse mëson ajetet për sinqeritetin, duhet t’i shohë prindërit e tij duke jetuar me sinqeritet.

Shembulli i mirë ruan nga Kur’ani atë që gjuha e vetme nuk mund ta ruajë.

Së gjashti: Kur’ani nuk duhet të shndërrohet në mjet ndëshkimi.

Sa fëmijë e kanë dashur Kur’anin, por më pas janë larguar prej tij, sepse çdo orë mësimi përfundonte me qortime, krahasime ose zemërim.

Kur’ani ka zbritur si mëshirë. Prandaj marrëdhënia e parë e fëmijës me të nuk duhet të jetë marrëdhënie frike.

Suksesi më i madh në edukimin kuranor nuk është të thuhet:

“Ky fëmijë e përfundoi memorizimin e Kur’anit në moshën dhjetëvjeçare.”

Por të thuhet pas tridhjetë vitesh:

“Ky është një njeri që ende e ka Kur’anin shok të pandarë; e lexon me dashuri, gjykon sipas tij dhe ndriçohet prej tij në jetën e përditshme.”

Memorizimi i Kur’anit është një begati e madhe.

Por edhe më e madhe është që Kur’ani të bëhet udhëheqësi i zemrës, i mendjes dhe i sjelljes.

Dr. Abdulkerim Bekar