
Foto ilustruese — arkivi i Mihralb
SËMUNDJET E DEBATIMIT
Mihralb
20 gusht 2026
Dije që debatimi me të cilin rivali synohet të heshtet, e me qëllim që tek njerëzit të lërë përshtypjen e mbiaftësisë personale, krenarisë dhe superioritetit, ky është burim i çdo lloji të moralit të përbuzur tek Allahu, xh.sh., ndërsa të lavdëruar tek armiku i Tij - Iblisi.
Marrëdhënia dhe lidhja e këtij vesi është e ngjashme me të gjitha veset shpirtërore, si kryelartësia, vetadmirimi, xhelozia, zilia, lakmia për dituri dhe pozitë etj., dhe është e lidhur ngushtë me alkoolin me të gjitha veset materiale, siç janë prostitucioni, vrasja, hajnia etj. Ashtu si alkooli që e sjell mjerimin në çdo fatkeqësi kur është fjala për veset materiale, kështu edhe vesi si dëshirë për mbizotërimin e fuqisë (e cila manifestohet gjatë debatimit), si edhe dëshira tejmase për dituri dhe pozitë, të sjellë në çdo mëkat moral. Mbi këtë do të flasim gjerësisht në kaptinën për destruksionet - "el-muhlikat". Këtu do të tregojmë në shembullin e destruksioneve të cilat mund të lindin nga debatimi.
1. ZILIA (El-hasedu). - Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë: "Zilia i shkatërron veprat e mira, mu ashtu sikurse zjarri që shkatërron (djeg) drutë".234
Polemizuesi vështirë mund të shpëtojë nga zilia. Ai ndonjëherë është ngadhënjimtar, ndërsa ndonjëherë ai është në disfatë; ndonjëherë fjala e tij e lartëson, ndërsa ndonjëherë fjala e të tjerëve është mbizotëruese. Nëse vetëm dikush ekziston në këtë botë i cili është më i aftë se ai në shkencë dhe debatime, ziliqari dëshiron që ai të mbetet pa këto aftësi, dhe që njerëzit tërë kujdesin dhe vëmendjen e tyre ta drejtojnë nga ai.
Zilia pushton sikurse zjarri, dhe ai i cili i nënshtrohet do të jetë i ekspozuar, para së gjithash, mundimit dhe dënimit në dunja, por dënimi i Ahiretit gjithsesi do të jetë më i ashpër dhe më i rëndë. Për këtë Ibn Abbasi ka thënë:
"Merrni diturinë kudo që ta gjeni, por mos e merrni atë që juristët flasin njëri për tjetrin. Ata janë xhelozë dhe të mërishëm ndaj njëri-tjetrit dhe sillen sikurse cjapët në torishte".
2. KRYELARTËSIA (Et-tekebburu). - I Dërguari i Allahut, s.a.v.s., ka thënë: "Kush kryelartësohet, Allahu do ta poshtërojë, ndërsa kush është përulës, Allahu do ta lartësojë".235
Allahu, xh.sh., ka thënë:
Në hadithin kudsijj, Hz. Muhammedi, s.a.v.s., transmeton se:
"Madhështia është mbulesa Ime, krenaria është petku Im. Do ta shkatërroj secilin që mundohet ta marrë njërën prej këtyre të dyjave".236
Debatuesi vështirë mund të ruhet nga kjo sëmundje. Ai dëshiron të ngrihet mbi polemizuesit e tij, të ketë pozicionim dhe pozitën më të mirë. Kjo është një luftë e madhe dhe e pakompromis. Vërtet, shumë nga ata mundohen ta fshehin marrëzinë e tyre, dredhitë dhe paturpësinë - të gjitha sjelljet e tyre, duke e shpjeguar këtë me dëshirën dhe mundin që të arrijnë dinjitetin e diturisë, sepse "muslimanit i ndalohet ta përulë veten e tij"237, duke porositur thjeshtësinë me të cilën Allahu, xh.sh., i ka përshkruar të dërguarit e Tij:
Por, kjo nuk është vetëm mashtrim i njerëzve, por edhe përdorimi i termeve aty ku nuk kanë vend, e për çfarë kemi treguar më parë.
3. MËRIA (El-hikdu). - Pak ka prej atyre që debatojnë e që i kanë rezistuar këtij rreziku.
Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë:
"Besimtari nuk është ziliqar".238
Mbi përbuzjen e smirës dhe urrejtjes është thënë shumë. Vështirë është të fshihet helmi dhe urrejtja ndaj atyre që qëndrojnë në anën e kundërshtarit. Ndonjëherë në kraharor mbyllet urrejtja, e cila mbetet deri në fund të jetës.
4. PËRGOJIMI (El-gibetu). - Allahu, xh.sh., përgojimin e ka krahasuar me ngrënien e cofëtinës. Por, diskutuesi është këmbëngulës në ngrënien e cofëtinës, dhe kundërshtarit të tij ia mvesh paditurinë, epshin, marrëzinë etj. Natyrisht, gjërat të cilat, edhe nëse për kundërshtarin janë të vërteta, por meqë i flet prapa shpinës së tij, bëjnë pjesë në kategorinë e gibetit - përgojimit. Ndërsa ajo që nuk është e vërtetë, bën pjesë në kategorinë e shpifjes dhe mëkateve të mëdha.
5. LAVDËRIMI I VETVETES (Tezkijetu en-nefsi). - Allahu, xh.sh., thotë:
"Pra, mos e lavdëroni vetveten, se Ai e di kush është më i ruajtur".239
El-Hakimi është pyetur: "Cila është e vërteta e shëmtuar?" Ai u përgjigj: "Që njeriu të lavdërojë vetveten". Debatuesi shpesh e lavdëron vetveten; aftësitë dhe cilësitë e tij i ngrit në krahasim me rivalët dhe kundërshtarët. Shpesh shërbehet me formulime të tilla: "Në këtë fushë asgjë nuk më është e panjohur", "Tërësisht jam i udhëzuar në shkencat themelore të hadithit" etj. Ky lavdërim ndonjëherë është shprehje e madhështisë dhe e kryelartësisë, ndonjëherë dëshirës dhe nevojës dhe dëshirës për të tërhequr vëmendjen, duke lënë përshtypje të caktuara. Madhështia dhe lavdërimi, si nga pikëpamja racionale, ashtu edhe nga pikëpamja e Sheriatit, janë cilësi të përbuzura.
6. PËRCJELLJA DHE PËRHAPJA E INTIMITETIT (Et-texhessus). - Allahu, xh.sh., thotë:
"...dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit"...240
Nuk është rast i rrallë që diskutuesi, kur është fjala për konkurrencën, enkas cakton detyrat dhe personat të cilët do të pyesin dhe hulumtojnë hollësitë nga jeta e tij, duke përfshirë edhe ato lidhur me rininë e tij, sferën private etj. Qëllimi është të regjistrojë sa më shumë mangësi dhe të meta të kundërshtarit. Të gjitha këto shënime ai do t'i ketë të përgatitura që për një moment, kur për këto të paraqitet nevoja, t'i plasojë publikisht.
7. GËZIMI PËR SHKAK TË FATKEQËSISË NJERËZORE (El-ferehu li mesaeti en-nasi). - Ai i cili nuk i dëshiron vëllait të tij atë që dëshiron për vete, është larg nga morali islam.
Secili i cili dëshiron që veten ta lavdërojë dhe ta vë në spikamë, pa dyshim që i gëzohet mossuksesit dhe fatkeqësisë së kundërshtarit të tij. Në këtë atmosferë, në mes njerëzve manifestohet urrejtja dhe padurimësia. Kjo padurimësi është e ngjashme me padurimin i cili vërehet në mes grave (në rastin e poligamisë - vër. e përkthyesit), e mjaftueshme që njëra prej atyre grave nga largësia ta vërejë rivalen dhe trupi i saj fillon të dridhet, ngjyra e fytyrës t'i ndryshohet. Kështu do të vëresh që disa nga debatuesit, kur shohin kundërshtarin e tyre, ata ndryshojnë ngjyrën e fytyrës së tyre. Ndryshimet në mendimet e tyre janë edhe më drastike, si të ishte rivali i tyre ndonjë luan i tërbuar ose shejtan kryeneç.
Pyetemi: Ku është ajo marrëdhënie e bukur, njerëzore dhe vëllazërore në mes dijetarëve dhe të cilat i kuptojmë nga fjalët e Imam Shafiut, Allahu qoftë i kënaqur me të: "Dijetarët janë një familje".
Si ata, të cilët diturinë e kanë kthyer në armiqësi, mund të pohojnë se janë ithtarë të atij medhhebi! A mendon dikush se mund të vendosë miqësi dhe afërsi në marrëdhëniet me të cilat dëshirohet të vendoset dominimi dhe imponimi? Është dëm i madh për atë që përqafon hipokrizinë, dhe heq dorë nga morali fetar.
8. DYFYTYRËSIA (En-nifaku). - Nuk është e nevojshme që këtu posaçërisht të përmendim shembuj nga Kur'ani dhe sunneti të cilët tregojnë në gjykimin dhe përbuzjen e këtij karakteri.
Shumë polemizues bien në kurth të këtij vesi të rrezikshëm. Vërtet, ata ndonjëherë në llogari të rivalëve të tyre dërgojnë fjalë të bukura dhe lavdërime, por, nga sjelljet e tyre dhe praktika shihet që kjo është e tejdukshme. Pas fjalëve të bukura tek ata frymon hipokrizia dhe urrejtja në zemër. Le të na ruajë Allahu, xh.sh., nga të tillët!
Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë:
"Kur njerëzit arrijnë te njohuria por nuk punojnë sipas saj; kur njëri ndaj tjetrit shprehin dashurinë me gjuhë, ndërsa urrejtjen në zemra; kur relacionet e ndërsjella dhe marrëdhëniet ndërpriten, Allahu, xh.sh., të tillët do t'i mallkojë dhe do t'i bëjë të shurdhër dhe të verbër".241
9. KRYELARTËSIA NDAJ TË VËRTETËS (El-istikbaru anil hakki). - Kjo është urrejtje ndaj të vërtetës. Gjithsesi debatuesi gjendet në situatë delikate kur kundërshtari i tij parashtron lëndën pas së cilës qëndron e vërteta.
Edhe në këtë situatë ai mundohet me dredhi dhe mashtrim ta hutojë dhe mposhtë kundërshtarin, duke humbur kështu udhëzimet e qarta të Kur'anit dhe sheriatit! Hz. Muhammedi, s.a.v.s., këshillon që të ndalohemi nga ky lloj diskutimi:
"Kush ndalet nga diskutimi dhe është në fajësi (shtrembër), Allahu, xh.sh., do t'ia ndërtojë shtëpinë në periferi të Xhennetit, ndërsa kush ndalet nga diskutimi, por ka të drejtë, Allahu, xh.sh., do t'ia ndërtojë shtëpinë në mes të Xhennetit".242
Allahu, xh.sh., i barazon ata që parashtrojnë gënjeshtra për Të, me ata që gënjejnë për të Vërtetën.
Kjo më së miri vërehet në dy ajetet vijuese:
"E kush është më mizor se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut ose përgënjeshtron të vërtetën pasi t'i ketë ardhur ajo?"243
"E kush është më mëkatar se ai që e flet të pavërtetën ndaj Allahut dhe se ai, që kur i erdhi e vërteta (Kur'ani), e përgënjeshtroi?"244
10. SYFAQËSIA (Er-rija-u). - Kjo është sëmundje e cila shpie në mëkatet më të mëdha, për çfarë do të tregojmë kur të shqyrtojmë kaptinën e titulluar. Këtu debatuesi ka për qëllim të përfitojë vëmendjen dhe simpatinë e masës.
Këto janë dhjetë parashtrime, gjegjësisht karakteristika, të cilat mendohen si nëna e të gjitha të këqijave kur është fjala për diskutimin dhe debatimin. Natyrisht, këtu nuk kemi përmendur kundërvajtjet dhe lëndimet të cilat, gjithashtu, ndodhin gjatë diskutimit dhe debatimit, ngase këto janë nën nderin dhe krenarinë e njeriut. Këto janë rastet që mbarojnë me rrahje, kapje për mjekër, shqyerje të rrobave, lloje të ndryshme të sharjeve, shpifjeve etj. Ata që sillen kështu bëjnë pjesë në kategorinë e cila nuk meriton respekt dhe nderim.
Por, është fakt se edhe në mesin e atyre që janë të mençur dhe me prestigj ka që nuk janë imunë nga disa prej këtyre dhjetë cilësive.
Secila prej këtyre dhjetë sëmundjeve të cekura, mund t'i lindë dhjetë sëmundje të reja, por ne këtu nuk do t'i shtjellojmë gjerësisht. Po i përmendim disa prej këtyre cilësive negative: kryelartësia, hidhërimi, urrejtja, lakmia, dashuria për pasuri dhe pozitë, tërbimi, mosfalënderimi, madhërimi i pasanikëve dhe pushtetarëve, shkuarja tek ata dhe të ushqyerit me haramin e tyre, zbukurimi me rroba të bukura dhe mjete luksoze të udhëtimit, poshtërimi i të tjerëve, interesimi i atyre gjërave që nuk i përkasin, të folurit e tepërt, privimi i zemrës nga ndjenja e frikës dhe mëshirës, lënia e zemrës tënde indiferente dhe të painteresuar, kështu që ai i cili fal namazin e tij nuk di çfarë ka falur, çfarë ka lexuar dhe kush është Ai të Cilit i drejtohet?!
Debatuesi nuk duhet të harrojë se në Ahiret nuk do t'i shërbejë gojëtaria e ushtruar mirë, të mbajturit mend i ngjarjeve dhe ndodhive dhe gjëra të tjera të cilat është vështirë të numërohen. Natyrisht, në mesin e debatuesve ekzistojnë kategori të ndryshme. Ata me iman të fortë dhe intelekt këto sëmundje mund t'i fshehin dhe me shpirt t'i kundërvihen.
Të gjitha veset e përmendura, nuk janë të lidhura vetëm me debatim dhe diskutim, por njësoj kanë të bëjnë edhe me ligjëruesit (vaizët), nëse kanë për qëllim që me të folurit e tyre të arrijnë deri te paraja dhe pozita. Kjo ka të bëjë njësoj edhe me dijetarët nga lëmia e shkencave medhhebike ose të fikhut, nëse me diturinë e tyre të kenë qëllim të nxjerrin për vete dobi të dunjasë. Me një fjalë, secili që me diturinë e tij kërkon diç tjetër përveç shpërblimit të Allahut, xh.sh., në Ahiret do të jetë në shërbim të njërës prej këtyre veseve.
Dituria dijetarit i sjell ose shkatërrim total dhe të përhershëm, ose jetë të përhershme dhe shpëtim. Për këtë Resulul-llahi, s.a.v.s., ka thënë:
"Në Ditën e Kijametit më së ashpëri do të dënohet dijetari i cili me diturinë e tij nuk e ka arritur kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut, xh.sh.".
Shembulli i atij që kërkon diturinë, kryesisht për dobi të dunjasë është i ngjashëm me shembullin e njeriut i cili kërkon pasuri materiale. Nëse në këtë nuk ka sukses, ai është i përgatitur në gjëra më të ulëta vetëm e vetëm për ta arritur atë qëllim. Dikush ndoshta do të thotë: Dëshira për pushtet dhe pozitë është e dobishme, ngase ajo e motivon njeriun për shkencë, dhe sikur të mos ishte kjo dëshirë dhe ky motiv do të ishte dëm për vetë shkencën. Kjo deri diku është e saktë, por kjo është e pavlerë. P.sh., nëse fëmijëve u ofrojmë lloje të ndryshme të lojërave, kjo gjithsesi do t'i motivojë për të ardhur në shkollë, por kjo nuk do të thotë se vetë dëshira e ardhjes është pozitive dhe e lavdëruar. Nëse thua se mos të ishte ambicia për pushtet dhe pozitë, kjo do të ishte dëm për shkencën, kjo nuk do të thotë se ai i cili ka ambicie për pushtet dhe pozitë do të jetë i suksesshëm dhe i shpëtuar. Ai bën pjesë në ata të cilët Pejgamberi, s.a.v.s., ka thënë:
"Allahu, xh.sh., do ta ndihmojë Islamin me popuj që kanë qenë buzë greminës".245
"Allahu, xh.sh., do ta ndihmojë Islamin me njeriun mëkatar".246
Ai i cili kërkon pushtet dhe pozitë me diturinë e tij, me siguri është i shkatërruar, por ai mund t'i shërbejë të tjerët me kusht që të tjerëve t'ua japë udhëzimin që të hiqet dorë nga preferimi i dunjasë ndaj Ahiretit, etj. Ai me këtë rast është i ngjashëm me qiriun i cili të tjerëve u jep dritë, ndërsa veten e shkrin. Nëse haptaz preferon dunjanë mbi Ahiretin, shembulli i tij është sikurse zjarri flakërues i cili përbin veten, por edhe çdo gjë tjetër.
Ekzistojnë tri kategori të dijetarëve:
Kategoria e parë janë ata që janë shkatërrues të vetes dhe të tjerëve. Këta janë që haptazi e propagandojnë jetën e kësaj bote.
Kategoria e dytë janë ata që e bëjnë të lumtur veten dhe të tjerët. Këta janë ata që thërrasin njerëzit në rrugën e Allahut, edhe me vepër, edhe me fjalë.
Kategoria e tretë janë ata që të tjerët i bëjnë të lumtur, ndërsa veten e shkatërrojnë. Këta janë ata që të tjerëve u këshillojnë vlerat e Ahiretit me fjalët e tyre, ndërsa personalisht anojnë vetëm për dunja.
Tani, gjyko në cilën kategori bën pjesë dhe për cilën përgatitesh!
Mos mendo që Allahu, xh.sh., do ta pranojë veprën, përveç asaj që është e pastër dhe e sinqertë, qoftë nga dituria ose vepra. Kësaj do t'i kushtojmë vëmendje të veçantë në kaptinat mbi hipokrizinë dhe destruksionin.