Logo
Kryefaqja/Islam/SEKRETI I FAMILJEVE QË I TEJKALOJNË KRIZAT
SEKRETI I FAMILJEVE QË I TEJKALOJNË KRIZAT

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

SEKRETI I FAMILJEVE QË I TEJKALOJNË KRIZAT

Bujar Idrizi

14 korrik 2026

2 min lexim

Shumica e familjeve kalojnë, në një periudhë të jetës së tyre vështirësi financiare. Kjo është pjesë e natyrshme e jetës; furnizimi herë shtohet e herë pakësohet, rrethanat ndryshojnë dhe njeriu nuk i ka gjithmonë në dorë të gjitha shkaqet.

Ajo që kam vënë re është se ndikimi i vështirësive ekonomike nuk varet vetëm nga të ardhurat, por në një masë të madhe nga mënyra se si familja përballet me to. Mund të ketë pak të ardhura, por shtëpia të mbetet e qetë dhe e lumtur, sepse të gjithë e kuptojnë se kjo periudhë kërkon bashkëpunim, jo akuza dhe shtim të presioneve.

Përgjegjësia e babait është të vazhdojë të përpiqet, të kërkojë rrugët e hallallit dhe të bëjë çmos për sigurimin e jetesës, duke ruajtur njëkohësisht qetësinë brenda familjes. Ai nuk duhet t’i shndërrojë shqetësimet financiare në ankth të përhershëm që rëndon mbi zemrat e fëmijëve.

Nga ana tjetër, bashkëshortja nuk është thjesht ajo që përballet me pasojat e rrethanave, por është partnere në kapërcimin e tyre. Kur di të vendosë përparësitë, të shtyjë disa gjëra që nuk janë të domosdoshme, të pakësojë kërkesat dhe ta mbështesë bashkëshortin me një fjalë të mirë, ajo nuk kursen vetëm para, por ruan stabilitetin e gjithë familjes.

Kam parë familje që i kanë kapërcyer krizat më të vështira, sepse bashkëshortja e konsideronte suksesin e burrit të saj si suksesin e saj dhe e shihte durimin në kohë të vështira si pjesë të besnikërisë ndaj shokut të jetës.

Edhe fëmijët nuk duhet të rriten me bindjen se çdo dëshirë e tyre duhet të plotësohet menjëherë. Edukimi i mirë është t’i mësojmë se jeta ka kohë bollëku, por edhe kohë vështirësish. Shtyrja e disa dëshirave nuk është privim, por ushtrim në durim, në vendosjen e përparësive dhe në vlerësimin e mundit që bëjnë prindërit.

Kur fëmijët e ndiejnë veten pjesë të zgjidhjes, kujdesen për mirësitë që kanë, shmangin shpërdorimin dhe vlerësojnë lodhjen e prindërve të tyre, atëherë e gjithë familja del nga kriza më e fortë dhe më e bashkuar.

Familja e suksesshme nuk është ajo që nuk përballet kurrë me vështirësi, por ajo që di t’i përballojë ato me një shpirt të vetëm.

Kur përpjekja e sinqertë e babait bashkohet me menaxhimin e mençur të nënës dhe mirëkuptimin e fëmijëve, sprova shndërrohet në një mësim përgjegjësie dhe shtëpia bëhet edhe më e lidhur se sa ishte në ditët e begatisë.

Ndoshta një nga mësimet më të bukura që fëmijët marrin në këto situata është se familja nuk është vetëm vendi ku plotësohen dëshirat, por është shkolla e solidaritetit, durimit, mëshirës dhe bashkëpunimit për të kapërcyer sfidat e jetës.

Dr. Abd al-Karim Bakkar