Logo
Kryefaqja/Islam/RREZIKU I MADH I GJUHËS DHE FAZILETI I HESHTJES
RREZIKU I MADH I GJUHËS DHE FAZILETI I HESHTJES

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

RREZIKU I MADH I GJUHËS DHE FAZILETI I HESHTJES

Bujar Idrizi

10 korrik 2026

6 min lexim

Dije se rreziku i gjuhës është i madh, ndërsa shpëtimi është vetëm në heshtje. Prandaj, sheriati e ka lavdëruar heshtjen dhe i ka inkurajuar myslimanët në të.

Resulallahu ﷺ ka thënë:

“Ka shpëtuar ai që heshtë.” dhe: “Heshtja është hikmet, por pak janë ata që heshtin.”

Abdullah b. Sufjani tregon:

“Babai im, Sufjani, i tha Resulallahut ﷺ:

– Më mëso një gjë për islamin që të mos kem nevojë më të pyes askënd tjetër.

Resulallahu ﷺ i tha:

– Thuaj: ‘Unë besoj Allahun’, dhe pastaj vepro drejtë.

Babai pyeti:

– Prej çfarë të ruhem më shumë?

Resulallahu ﷺ tregoi gjuhën e tij me gisht dhe i tha:

– Zotëro këtë.”

Ukbe b. Amir tregon:

“Kur e pyeta Resulallahun ﷺ se çka është ilaçi për shpëtim, Resulallahu ﷺ më tha:

– Përmbaje gjuhën, rri në shtëpi dhe qaj për gjynahet tua.”

Resulallahu ﷺ ka thënë:

“Kush bëhet garant për atë që ka mes dy nofullave dhe mes dy këmbëve të tij, unë bëhem garant për xhenetin e tij.”

Dhe:

“Kush mbrohet nga e keqja e barkut, organit seksual dhe e gjuhës, do të jetë i mbrojtur nga të gjitha të këqijat.”

Pikërisht për shkak të epshit të këtyre tri organeve janë shkatërruar shumica e njerëzve. Për këtë arsye, pasi që tashmë i shpjeguam fatkeqësitë e stomakut dhe të organit seksual, këtu po i shpjegojmë edhe fatkeqësitë e gjuhës.

Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u pyet se cila është vepra që do t’i ndihmojë njerëzit më së shumti të hyjnë në xhenet, ai tha:

“Takva dhe ahlak i bukur.”

(Tirmidhiu, i cili e konsideron të besueshëm, si dhe Ibn Maxhe nga Ebu Hurejre)

Ndërsa kur e pyetën se cilat gjynahe më së shumti bëhen shkak që njerëzit të hyjnë në xhehenem, tha:

“Dy zbrazëti: goja dhe organi seksual.”

Me siguri ajo që nënkuptohet me “gojë” në këtë hadith është fatkeqësia e gjuhës, e cila ndodhet në gojë, por ka mundësi të jetë edhe stomaku, sepse goja është hapje për në stomak.

Përgjegjësia e fjalëve

Kur Muadhi pyeti:

– O i Dërguari i Allahut! A jemi përgjegjës për atë që e flasim?

Resulallahu ﷺ i tha:

– Mjerë nëna jote o biri i Xhebelit! A nuk do të tërhiqen për gjuhë njerëzit zvarrë drejt xhehenemit, dhe për çka tjetër, përveçse për thashethemet dhe shpifjet e tyre?

Kur Abdullah Sakati i tha Resulallahut ﷺ:

– Më jep një këshillë me të cilën të jem i lidhur fort.

Resulallahu ﷺ i tha:

– Thuaj: “Rabbi im është Allahu”, e pastaj vepro në rrugë të drejtë!

Kur e pyeti:

– Nga çfarë ke më shumë frikë për mua?

Resulallahu ﷺ, duke treguar gjuhën, tha:

– Nga kjo.

Edhe kur Muadhi e pyeti Resulallahun ﷺ:

“Cila vepër është më e vlefshme?”

Resulallahu ﷺ nxori gjuhën dhe, duke treguar me gisht kah ajo, tha se mbrojtja e saj është vepra më e vlefshme.

Gjuha e drejtë dhe besimi

Enes b. Malik transmeton se Resulallahu ﷺ ka thënë:

“Besimi i personit nuk do të jetë i drejtë nëse zemra e tij nuk është e drejtë, e zemra e tij nuk do të jetë e drejtë nëse gjuha e tij nuk është e drejtë. Dhe ai që prej të keqes së tij nuk është i sigurt komshiu i tij, nuk do të hyjë në xhenet.”

Resulallahu ﷺ gjithashtu ka thënë:

“Ai që dëshiron të jetë në selamet, le të heshtë.”

Dhe:

“Kur të zgjohet i biri i Ademit në mëngjes, të gjitha organet e tij i thonë gjuhës: Frikësoju Allahut për ne, sepse nëse ti e flet të vërtetën dhe ndjek rrugën e drejtë, edhe ne të gjithë do të jemi të drejtë e në selamet; por nëse ti devijon, do të devijojmë edhe ne.”

Kujdesi ndaj gjuhës

Omer b. Hatai e pa Ebu Bekrin r.a. duke e tërhequr gjuhën e vet me dorë dhe e pyeti:

– Çfarë po bën ashtu?

Ebu Bekri r.a. u përgjigj:

– Të gjitha belatë më kanë ardhur prej saj. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:

“Nuk ka organ në trup që nuk do të ankohet tek Allahu për gjuhën.”

Ibn Mesudi r.a., duke ecur mes Safasë dhe Merves, i tha gjuhës së vet:

– O gjuha ime! Thuaj fjalë të mira dhe përfito. Mos thuaj fjalë të këqija, që të gjesh shpëtim para se të pendohesh.

Ata që e dëgjuan e pyetën:

– O Ebu Abdurrahman! A janë këto fjalët tua, apo i ke dëgjuar nga dikush?

Ibn Mesudi tha:

– E kam dëgjuar Resulallahun ﷺ kur tha:

“Shumica e gabimeve të birit të Ademit janë nga gjuha e tij.”

Heshtja si mbrojtje dhe ibadet

Resulallahu ﷺ ka thënë:

“Allahu ia mbulon të metat atij që ruan gjuhën e vet. Allahu e mbron nga zemërimi i Tij atë që mban nën kontroll zemërimin e vet. Allahu e pranon faljen e atij që Allahut i kërkon falje.”

Muadh b. Xhebel r.a. kërkoi këshillë prej Resulallahut ﷺ, dhe Resulallahu ﷺ i tha:

– Adhuroje Allahun sikur je duke e parë, dhe llogarite veten në mesin e të vdekurve.

E nëse do, po të njoftoj për diçka edhe më të dobishme se kjo.

Duke treguar me gisht kah gjuha e vet, tha:

– Përmbaje gjuhën.

Resulallahu ﷺ ka thënë:

“A t’ju tregoj për ibadetin më të lehtë dhe më të rehatshëm për trupin? Heshtja dhe ahlaku i bukur.”

Dhe:

“Kush beson Allahun dhe Ditën e Ahiretit, le të thotë fjalë të mira ose le të heshtë.”

“Allahu e mëshiroftë atë rob që kur flet – përfiton, ose heshtë, e shpëton.”

Isa a.s. u tha njerëzve:

– Na udhëzo në një vepër që na çon në xhenet.

Isa a.s. u tha:

– Mos flisni fare.

Ata thanë:

– Kjo nuk është e mundur.

Isa a.s. u tha:

– Atëherë flisni vetëm fjalë të mira.

Sulejmani a.s. ka thënë:

“Nëse fjalët tua janë argjend, heshtja jote është ar.”

Një beduin erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:

– O i Dërguari i Allahut, më mëso një veprim që do të më çojë në xhenet.

I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:

– Ushqeje të uriturin, jepi ujë të eturit, urdhëro të mirën dhe ndaloje të keqen. Nëse nuk ke fuqi për këto, përmbaje gjuhën tënde nga fjalët jo të mira.

Resulallahu ﷺ ka thënë:

“Përmbaje gjuhën nga çdo fjalë që nuk është e mirë, vetëm në këtë mënyrë mund ta mposhtësh shejtanin.”

Dhe:

“Allahu Teala është pranë gjuhës së gjithsecilit, pra e di çdo fjalë që thuhet, prandaj secili le ta ketë frikë Allahun nga fjala që e thotë.”

Gjithashtu ka thënë:

“Kur të shihni një mysliman të heshtur dhe dinjitoz, afrohuni atij, sepse gjendja e tij frymëzon hikmet.”

Dhe:

“Njerëzit ndahen në tri grupe: disa janë në fitim, disa në shpëtim dhe disa në shkatërrim. Ata që janë në fitim janë ata që përmendin Allahun. Në shpëtim janë ata që zotërojnë gjuhën e vet, ndërsa në shkatërrim janë ata që lëshohen në fjalë të kota e boshe.”

“Gjuha e besimtarit është pas zemrës së tij; kur ka diçka për të thënë, fillimisht mendon me zemër, e më pas flet. Ndërsa gjuha e hipokritit është para zemrës së tij; kur ai ka diçka për të thënë, e thotë pa u menduar.”

“Kush flet shumë, rrëshqet shumë. Kush rrëshqet shumë, bën gjynahe shumë. E kush ka shumë gjynahe, meriton zjarrin.”

Ndërsa Isa a.s. ka thënë:

“Ibadeti është dhjetë pjesësh. Nëntë nga to janë heshtje, e një pjesë është largimi nga njerëzit.”

Ebu Hamid Muhammed El-Gazali