
Foto ilustruese — arkivi i Mihralb
RËNDËSIA E FJALËVE TË MIRA GJATË EDUKIMIT
Bujar Idrizi
10 korrik 2026
Kapitali më i çmueshëm i arsimit dhe edukimit është fjala.
Një besimtar, moralin e fjalës e mëson nga Kurani i Madhërueshëm.
Kurani për besimtarët, në aspektin e kuptimit gjuhësor, ashtu sikurse në çdo aspekt tjetër të jetës, është udhërrëfyesi më i mirë. Përmes këtij libri të shenjtë ne mësojmë gjuhën kuranore.
Veçoria e parë e domosdoshme e fjalës së moralshme është vërtetësia e saj. Sado që fjalët tona të jenë të buta, të ëmbla dhe ndikuese, nëse gjuha jonë nuk shpreh një të drejtë ose nuk flet të vërtetën, ajo është e kotë dhe pa vlerë.
Allahu i Lartmadhëruar thotë:
“(Besimtarët janë ata) të cilët shmangen nga fjalët e kota.” - Mu’minun, 3
Për këtë arsye, në aspektin e përgjithshëm të urdhrit të Zotit, në besimin e myslimanit qëndron fjala e drejtë.
"O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.” - Ahzab, 70
Fjala e drejtë është çelësi i mbarësisë dhe i lumturisë, si në këtë botë ashtu edhe në Ahiret.
Drejtësia është cilësia më e rëndësishme e fjalës, por jo cilësia e saj e vetme. Gjithashtu, forma dhe vendi i fjalës së drejtë përbëjnë një rëndësi mjaft të madhe.
Rrugët për t’ia paraqitur të vërtetat më të hidhura, paralajmërimet më serioze apo qortimet më të rënda një zemre njerëzore kalojnë përmes fjalëve të duhura dhe shprehjeve më të goditura.
Në aspektin e përgjithshëm kjo është një “fjalë e bukur”.
Allahu thotë:
“Dhe thoni njerëzve fjalë të mira.” - Bekare, 83
Dhe:
“Thuaju robërve të Mi që të flasin atë që është më e mira.” - Isra, 53
Po ashtu, në Kuran thuhet:
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur...” - Nahl, 125
Gjuha e butë dhe ndikimi i saj në edukim
Prej gojës së besimtarit duhet të rrjedhë gjithmonë mëshirë.
Tek asnjëri prej pejgamberëve të Zotit nuk gjendet një fjalor i vrazhdë në bisedë me njerëzit. Ata, në misionin e tyre hyjnor, gjithmonë e kanë paraqitur fenë me shprehjet më të bukura dhe kanë qetësuar zemrat.
Po ashtu, njerëzit e dashur të Zotit, të cilët ndiqnin në çdo hap rrugën e profetëve, nuk kanë përdorur kurrë fjalor të vrazhdë.
Përveç dy cilësive të etikës së fjalës – drejtësisë dhe bukurisë – Kurani i Madhërishëm përmend edhe disa cilësi të tjera për persona të veçantë.
Njëra nga këto cilësi është paraqitja e të vërtetave me butësi, në varësi të personave me natyrë të ashpër, agresivë dhe arrogantë, me qëllim që t’u zbutet zemra.
“Flitini atij (Faraonit) fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” - Taha, 44
Fjala e butë në edukimin fetar përbëhet nga paraqitja e së vërtetës me një metodë të qetë dhe të butë, duke u distancuar nga format ofenduese, të cilat shpesh na largojnë nga qëllimi pozitiv dhe mirëkuptimi, duke na orientuar drejt debateve.
Allahu i drejtohet Pejgamberit të Tij ﷺ:
“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoji falje Allahut për ata dhe këshillohu me ta për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” - Ali Imran, 159
Ky është një ajet jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili paraqet pavlefshmërinë e vrazhdësisë dhe, nga ana tjetër, burimin e mirësive që sjell butësia në marrëdhëniet mes mësuesit dhe nxënësit.
Ajo që kërkohet në edukim është fjala e butë, por me ndikim të fortë.
Kështu thuhet:
“Kush i beson Allahut dhe Ditës së Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.”
“Këta janë ata për të cilët Allahu e di se ç’kanë në zemrat e tyre. Largohu prej tyre, këshilloji dhe thuaju fjalë që i prekin në zemër.” - Nisa, 63
Zoti i Lartmadhëruar kërkon prej robërve të Tij që besimtari të flasë me prindërit me fjalë të buta dhe të ëmbla.
“Mos u thuaj atyre as ‘uh!’, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” - Isra, 23
Prindërit duhet t’i rrisin fëmijët me fjalë të ngrohta dhe të dashura, ndërsa fëmijët duhet të flasin me ta me fjalë të bukura, të ëmbla dhe të çmuara, në mënyrë që në themelet e familjes të mbizotërojnë gjithmonë respekti, dashuria dhe begatia.
Fjala e mirë në çdo rrethanë
Allahu urdhëron që të përdoret një gjuhë e tillë edhe për të fituar zemrën e ndjeshme të nevojtarëve.
“Por, nëse shmangesh nga ata (kur nuk ke asgjë për të dhënë), duke shpresuar në mëshirën e Zotit tënd, atëherë thuaju atyre fjalë të butë.” - Isra, 28
Pejgamberi ﷺ ishte i urdhëruar që t’u fliste nevojtarëve myslimanë me fjalë të buta. Në të njëjtën kohë, ai ishte edhe mësuesi i tyre.
Ky ajet u jep një mesazh mësuesve: ata duhet të shqetësohen për problemet materiale apo shpirtërore të nxënësve, duhet t’u japin rëndësi atyre dhe nuk duhet kurrsesi t’ua kthejnë shpinën, qoftë edhe në pamundësi për t’i ndihmuar.
Edukata në komunikim ka edhe një veçori tjetër: shprehjen e fjalës së bukur në vendin dhe kohën e duhur.
“Dhe u thoni atyre fjalë të mira.” - Nisa, 5
“Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit!” - Llukman, 19
Të gjitha këto janë forma të gjuhës së Kuranit, të cilat çdo besimtar duhet t’i mësojë.
Një besimtar duhet të dijë cilën fjalë të thotë dhe ku ta thotë atë.
Ahmed Havari ka thënë:
“Nëse përtyp një kafshatë të panevojshme, prej andej do të dalë një fjalë e panevojshme.”
Ebu Bekri r.a., në një këshillë thotë:
“Mos harro çfarë ke thënë, kujt ia ke thënë dhe ku e ke thënë.”
Sepse ajo çka del nga goja regjistrohet me anë të kamerës hyjnore. Dhe Ditën e Gjykimit secili prej nesh do ta shikojë vetveten në atë regjistrim.
Allahu thotë:
“Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” -- Kaf, 18
Një nga synimet më të mëdha të edukimit duhet të jetë edukimi i njeriut që të mos thotë gënjeshtra.
Për këtë gjë, pikësëpari është e domosdoshme që edukatori të qëndrojë jashtëzakonisht larg çdo lloj gënjeshtre.
Mësueset dhe mësuesit tanë janë të detyruar që ta mësojnë dhe ta përvetësojnë shumë mirë gjuhën e dashur të Kuranit dhe domethëniet e saj edukative.
Ata gjithashtu duhet të jenë të motivuar vazhdimisht për edukimin e nxënësve me këto parime të larta.
Gjuha është pasqyra e zemrës. Kur fjala del nga zemra, ajo depërton në zemër.