
Foto ilustruese — arkivi i Mihralb
PARIMET E FETARISË QË PRODHOJNË MORAL
Mihralb
31 gusht 2026
Feja është tërësi e porosive hyjnore që vijnë nëpërmjet shpalljes, është vullnet i të Lartmadhëruarit. Kurse fetaria është ajo që njerëzit e kuptojnë dhe e praktikojnë në kohë dhe hapësira të ndryshme nga porositë dhe vullneti hyjnor.
Sipas kësaj, feja është hyjnore, kurse fetaria njerëzore. Feja është e pashoqe dhe e përkryer, është mbikohore dhe mbihapësinore. Nga ana tjetër, fetaria është relative, ngërthen në vete mangësi të llojllojshme. Përveç kësaj, është e kufizuar edhe me kohë, hapësirë dhe gjeografi. Për këtë arsye, e vërteta e fetarisë apo fetarive mund të mos përputhet me të vërtetën e fesë. Dhe për këtë arsye, mund të shfaqen fetari të ndryshme. Edhe kjo është e natyrshme. Ngase në skenë janë shfaqur shumë manifestime të fetarisë: fetari tradicionale, adhurim-centrike, formaliste, e dukjes, emocionale, pragmatike, mashtruese, patologjike, radikale e të tjera. Ta sulmosh Islamin duke i shikuar këto fetari të mangëta dhe mashtruese është një qasje e padrejtë.
Te fetaria e mirëfilltë besimi në Zot nuk paraqet dije të arritur përmes një vërtetimi dhe mësimi të thatë; është gjendje e lartësuar, jetë e dëlirë dhe manifestimi i asaj jete, moral i shpërfaqur në çdo sjellje. Imam Muhamedin, nxënësin e mirënjohur të Ebu Hanifes, e kanë pyetur: “Pse nuk ke shkruar ndonjë libër rreth asketizmit, përkorjes dhe moralit?” Përgjigjja e tij ishte: “Pasha Zotin, kam shkruar!” “E ku është?” – e kanë pyetur sërish. “E dini librin Kitâbul-Bujû’ (Libri i shitblerjeve/transaksioneve); morali i vërtetë është ai i shitblerjes.”
Në fetarinë autentike njëshmëria (teuhid) nuk është një bindje e thurur me nocione ideore; është një botëkuptim që çdo vepre i jep bukuri, që frymëzon çdo bëmë njerëzore. Fetaria e vërtetë është fetari në përputhje me arsyen, zemrën dhe shpirtin. Trupi e arrin lumturinë, qetësinë dhe prehjen vetëm në saje të një paqeje të tillë. “Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”⁸⁴ Kështu te njeriu nuk mbetet frikë, dëshpërim dhe brengë. Ai bëhet mik me Zotin. Në këtë drejtim, evlijatë nuk janë kategori apo klasë e privilegjuar. Ajeti “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar”⁸⁵ i përfshin në vete të gjithë besimtarët që fetarinë e kalojnë në moral(itet).
Te fetaria e vërtetë, themelore janë arsyeja dhe urtësia e integruar me urdhrat fetarë. Arsyeja dhe ndërgjegjja i nënshtrohen vullnetit hyjnor. Besimtari gjithësinë, botën materiale, ekzistencën dhe universin i shikon me vështrimin e mëshirës. Ai kënaqet nga të bërit e mirësisë dhe gjërave të bukura që janë emanacion i mëshirës dhe bukurisë në gjithësi, në bukuri e mirësi e realizon ekzistencën e vet, e gjen kënaqësinë e ekzistimit. Feja e shmang etjen ndaj hyjnores dhe të shenjtës, e lartëson shpirtin, e kënaq zemrën.
Çdo adhurim i bërë me një zemër të tillë shpie në moralin e përkryer. Me një shpirt të tillë, çdo sexhde shndërrohet në takim me Krijuesin (vuslat). Çdo adhurim i tij e bëhet dhe e flet gjuhën e qenies. Siç shprehet Tahâ Abdurrahmân, “adhurimi është gjuhë e ekzistencës.”⁸⁶
Fetaria e vërtetë e çliron njeriun nga të gjitha llojet e robërisë. Ajo refuzon çdo gjë që e skllavëron shpirtin, që pushton zemrën, që e verbëron arsyen dhe ndërgjegjen. Idhujtaria të cilën e refuzon feja nuk nënkupton vetëm idhujt nga guri, hekuri apo druri; idolatria është çdo gjë që e robëron njeriun: njeriu mundet që të shndërrojë në idhull një ide, një ideologji; herën tjetër një fjalë, një slogan, një libër, një autor. Mund të shndërrojë në idhull një lider shpirtëror, politik, një parti, bashkësi, organizatë, grup, familje, ritual, zakon, adhurim.
Një ditë e patën pyetur Bâjezid-i Bistâmîun: “Ç’po ndodh me ne? Kryejmë adhurimet, por nuk ia ndiejmë kënaqësinë?”, në çka qe përgjigjur: “Ju jeni kah e adhuroni adhurimin. Sikur të adhuronit Zotin, medoemos do t’ia ndienit shijen adhurimit.” Adhurimi i adhurimit nuk e shndërron adhurimin në moral. E vetë adhurimi është mjet i moralitetit. Morali është qëllim i adhurimit. Manifestimi i madh i pranimit të lutjes te Krijuesi është shndërrimi i ibadetit në sjellje etike në shtëpi, pazar, shkollë, gjithandej.
Morali është qëllimi fundor i adhurimit. (Mos)shndërrimi i një adhurimi në moral tregon nëse një sjellje fetare, një lutje e adhurim janë pranuar nga Zoti apo jo. Hadithi që thotë se “veprat maten sipas qëllimit”⁸⁷ tregon se mund të ekspozohet fetari edhe me qëllim të keq e të gabuar. S’ka dyshim se nuk mund ta dimë qëllimin që ka njeriu.
Por, parimet që ai ndjek në diadat feja-morali dhe adhurimi-morali tregojnë se mund të kemi njohuri të caktuara lidhur me qëllimet e tij. Nëse feja gjeneron moral, nëse adhurimi i tij transformohet në moral, kjo tregon se edhe qëllimi edhe adhurimi i tij janë pranuar te Zoti