Logo
Kryefaqja/Shkenca Sociale/FJALA E MIRË ËSHTË SADAKA
FJALA E MIRË ËSHTË SADAKA

Foto ilustruese — arkivi i Mihralb

FJALA E MIRË ËSHTË SADAKA

Mihralb

29 tetor 2026

2 min lexim

Shpesh dimë t’i lavdërojmë dhe t’i vlerësojmë njerëzit e huaj, ndërsa fjalët e mira ua kursejmë atyre që i kemi më pranë.

Në vendin e punës dimë ta përgëzojmë një koleg dhe t’i themi një fjalë të mirë, por kur kthehemi në shtëpi, shpesh nuk gjejmë fjalë mirënjohjeje për bashkëshorten që ka kaluar gjithë ditën duke punuar dhe duke u kujdesur për familjen. Po kështu, ndodh që bashkëshortin, i cili kthehet i lodhur nga puna, ta presim me një varg kërkesash, pa e vënë re lodhjen dhe mundin e tij.

Fjala e mirë nuk është thjesht një shprehje mirësjelljeje, por dëshmi vlerësimi dhe një mënyrë e bukur për të forcuar dashurinë, respektin dhe afërsinë mes bashkëshortëve.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Fjala e mirë është sadaka.”

E ku tjetër, më shumë se në familje, duhet të ndihet vlera dhe bukuria e kësaj porosie profetike?

Sepse mundi që nuk vlerësohet dhe sakrifica që kalon pa u vënë re, me kalimin e kohës mund të krijojnë ndjenjën e shpërfilljes dhe të mungesës së vëmendjes, sado i sinqertë dhe i përkushtuar të jetë njeriu në përmbushjen e përgjegjësive të tij.

Ndonjëherë mjaftojnë disa fjalë të thjeshta: “Faleminderit për mundin tënd”, “E vlerësoj atë që bën për ne”, apo “Allahu të shpërbleftë për përkushtimin tënd”, që bashkëshorti apo bashkëshortja të ndiejë se përpjekjet e tyre vërehen, se prania e tyre nuk merret si diçka e mirëqenë, por si një begati që meriton dashuri dhe mirënjohje.

Është për të ardhur keq që fjalët tona më të bukura t’i dëgjojnë njerëzit jashtë shtëpisë, ndërsa prej tyre të privohen pikërisht ata që i kemi më të afërt dhe që i meritojnë më së shumti.